Osmani njofton zyrtarët e BE-së për bisedimet me LV-në për formimin e qeverisë së re
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Bruksel me ftesë të komisionarit për zgjerim, Johannes Hahn.
Përveç takimit me komisionarit Hahn, Osmani ka zhvilluar takime edhe në Parlamentin Evropian, ku është pritur nga zëvendëspresidenti i këtij institucioni, Rainer Wieland, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, David Mccallister, eurodeputetët Lucas Mandl dhe Andrew Kovachev si dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në Partitë Popullore Evropian (EPP), Patrick Voller.
Nënkryetarja Osmani ka zhvilluar takime edhe në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) ku është pritur nga sekretarja e përgjithshme Helga Schmidt dhe nga drejtoresha për Evropë në këtë shërbim, Angelina Eichhorst.
Në këto takime, nënkryetarja Osmani ka diskutuar lidhur me zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, të arriturat dhe sfidat gjatë këtij procesi si dhe diskutimet aktuale rreth formimit të Qeverisë së re.
Gjatë takimeve është diskutuar tema e dialogut Kosovë-Serbi, përpjekjet e Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar si dhe reformat e nevojshme për proceset integruese për Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Osmani ka ritheksuar se liberalizimi i vizave ka mbetur zotim i papërmbushur i BE-së karshi qytetarëve të Kosovës.
/Epoka e re/