Osmani: Njohja e pavarësisë nga Vatikani, njohje e sakrificës së popullit të Kosovës

25 shkurt 2020 | 16:05

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar imzot Jean Marie – Speich, delegat apostolik për Kosovë, që t’ia përcjellë papatit mesazhin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të saj që ta konsiderojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

“Njohja e pavarësisë së vendit tonë jo vetëm do t’i ngrite në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona edhe ashtu të shkëlqyera, por do të ishte edhe njohje e sakrificës së popullit të Kosovës për liri”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shprehur gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit të Republikës që ta vazhdojnë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë.

Në anën tjetër, imzot Jean Marie – Speich, ka shprehur kënaqësinë e tij për zgjedhjen e Osmanit në krye të Kuvendit të Kosovës dhe ka nënvizuar përkushtimin e tij dhe të Selisë së Shenjtë për ta thelluar edhe më tutje bashkëpunimin me popullin e Kosovës dhe me institucionet e vendit.

Sipas tij, raportet e mira me Kosovën tregojnë kujdesin që papa dhe Selia e Shenjtë kanë treguar në vazhdimësi ndaj popullit të Kosovës.

Sipas tij, pavarësisht faktit se mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë ende nuk janë vendosur raporte formale diplomatike, ekziston një gatishmëri e madhe që bashkëpunimi të zhvillohet në më shumë fusha, veçanërisht në edukimin e mirëfilltë të rinisë së Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar, Erzen…