Osmani: Nuk më befasoi Serbia por Brukseli që nuk reagoi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se me anulimin e ftesës për të dhe kolegët nga Kuvendi i Kosovës shteti fqinj Serbia tregoi se është pandershmërisht prijëse në rrugëtimin europian.
Në “Info Magazine” të “Klan Kosovës”, ajo ka shprehur habinë me mosreagimin e Bashkimit Europian pas pengimit të pjesëmarrjes të saj në takimin “Nëpërmjet idesë drejt paqes dhe zhvillimit”, por ka falënderuar kolegët nga disa shtete të rajonit që në shenjë solidarizimi kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre.
“Shtetet mike të Kosovës vazhdimisht janë duke shprehur indinjatën e tyre lidhur me këtë veprim të Serbisë. Nuk është pritur diçka ndryshe, sepse për shkak të kërcënimeve të kriminelit të luftës Vojislav Sheshel, Serbia pati marrë vendime të ngjajshme edhe në raport me Kroacinë. Ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës kemi qenë të interesuar që në këtë konferencë vendi ta ketë zëri e tij dhe që ne t’i mbrojmë interesat e shtetit në Parlamentin e Serbisë. Ka një muaj që ky institucion ka qenë i njoftuar që unë dhe Ilir Deda do të marrim pjesë. Kemi pasur inkurajim edhe nga SHBA dhe Gjermania që ne të jemi aty dhe të flasim në emër të Kosovës”, ka thënë ajo duke thënë se pas pas kërcënimeve të Sheshelit dhe paralajmërimeve të kryetares të Parlamentit të Serbisë ftesa është anuluar.
“Kjo ka dëshmuar për të satën herë se është e pandershme që Serbia të konsiderohet si shtet i parë në rrugëtimin europian. Për mua është befasuese heshtja e Bashkimit Europian sot. Pikërisht në Ditën e Europës do të duhej të ishte jashtëzakonisht i zëshëm për këto veprime joeuropiane të Serbisë. Por jemi të inkurajuar që deputetët nga Maqedonia, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia në shenjë solidarizimi kanë anuluar pjesëmarrjen. Mesazhi i saj bosht ishte luftimi i krimit dhe korrupsionit. Kjo tregon qasjen jashtëzakonisht mbështetëse që Gjermania ka në raport me interesat e Kosovës. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi unë pres që të ketë deklarata më të detajizuara”, ka thënë Osmani.