Osmani: Nuk do të ik nga dialogu me Serbinë siç bënë frikacakët
Kandidatja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të ikë nga dialogu me Serbinë siç kanë bërë frikacakët dhe e kanë lënë Kosovën në duart e presidentit Hashim Thaçi.
Ajo duke folur për kundërkandidatët e saj politikë gjatë një tubimi në Suharekë, ka thënë se disa prej tyre kanë shpërndarë njerëz nëpër Kosovë me qëllim që ta blejnë votën e qytetarëve.
“Sot LDK-ja është më e bashkuar dhe më unike se kurrë. Ne jemi bashkuar për një fitore që nuk e kemi parë që nga viti 2004. Një fitore të tillë do ta kemi sepse përderisa të tjerët çdo ditë merren me shpifje dhe sulme. Ne lidhjen tonë të vetme e kemi me qytetarët sepse ajo është më e fuqishmja”.
“Për mua dhe LDK-në nuk ka asgjë më të shenjtë sesa beteja jonë për të ç’kapur shtetin nga ata që keqpërdorën dhe shkelën mundin dhe djersën e qytetarëve tanë. LDK nuk do t’i japë amnisti askujt për krimet”.
“Le ta dinë se e kanë të kotë sepse qytetarët nuk e shesin vullnetin e vet. Qytetarët e Kosovës nuk u besojnë më atyre që e keqpërdorën besimin e tyre. Prandaj ne duhet të bashkohemi që Kosovën mos ta lejojmë më të njolloset nga njerëz të tillë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova pas 6 tetorit do të jetë n ndryshe.
“Kufijtë e Kosovës me LDK-në janë të sigurt. Unë nuk do t’i iku dialogut dhe përgjegjësisë siç u ikën frikacakët e tanishëm dhe e lanë Kosovën në duart e Thaçit. Do ta përfaqësojë Kosovën dhe do ta mbrojë kushtetutën me çdo çmim”, ka thënë Osmani.