Osmani nuk e dekreton kryeprokurorin e ri Blerim Isufaj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media sot ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kryeprokurorin e ri Blerim Isufaj.
“Ju kam ftuar në këtë konferencë për t’ju njoftuar në lidhje me çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Sot e kam njoftuar zyrtarisht Këshillin Prokurorial të Kosovës në lidhje me vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit. Siç jeni në dijeni pas një periudhe të gjatë të kontestimit të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditësh edhe Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykimin lidhur me këtë rast. Duke e konsideruar procesin e kontestimit si të pasafatshëm. Është me rëndësi që të sqarohet qysh në fillim se asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtësor”, ka thënë ajo.
“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Osmani.
Ajo tha se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtarë.