Osmani: Nuk i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, por nuk përzihemi në vullnetin e deputetëve
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të kërkojë nënshkrimet e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë, por as nuk do të përzihen në vullnetin e deputetëve sa i përket përkrahjes së mocionit, pavarësisht etnisë apo grupit parlamentar që i përkasin.
Deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani, në një konferencë për medie, ka thënë se do t’i rikonfirmojnë 58 nënshkrimet e mbledhura deri tani, duke theksuar se këto nënshkrime janë vetëm të opozitës.
Osmani ka thënë se bashkëpunimin për rrëzimin e Qeverisë e kërkojnë tek deputetët që janë pjesë e partive në pushtet.
Ajo ka thënë se të gjithë ata që sot ankohen në votat e Listës Serbe kanë marrë pjesë në mocionin kundër Qeverisë së LDK-në në vitin 2017.
Osmani ka thënë se janë në fazë të hershme me fol për votën meqë ende janë duke mbledhur nënshkrimet.
Ndërsa, deputeti Armend Zemaj, ka thënë se kërkesa për rrëzimin e Qeverisë ka qenë e domosdoshme.
Ai ka ftuar deputetët që sa më shpejt ta vendosin mocionin në Kuvend, dhe ka kërkuar përkrahjen e tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. /Ksp/