Osmani: Nuk ka para që e blen vullnetin e qytetarëve të Kosovës
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten në tubimin elektoral në Klinë, se me gjithë përpjekjet e disa partive për të blerë vota, nuk ka para që e blen vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë vendosur t’i besojnë LDK-së në fitoren e saj më 6 tetor.
“Ne duhet të jemi vigjilent që këtë vullnet kaq të qartë të qytetarëve të Kosovës për ta përkrahur LDK-në, ta mbrojmë. Duhet ta mbrojmë me çdo kusht, sepse ka parti që mendojnë se munden me e ble vullnetin e qytetarëve. Ka ardhur koha me ju thanë që nuk ka para që e blen këtë vullnet. Nuk ka asnjë kërcënime prej tyre që e blen dhe e ndal këtë vullnet. Nuk ka asgjë dhe asnjeri që mundet me e ndal fitoren e LDK-së”, ka thënë Osmani.
Ajo ka adresuar kritika për kundërkandidatët e saj, të cilët në këtë fushatë zgjedhore po flasin për vizion evropian.
“Ne nuk lejojmë që në një anë me u fol për vizion evropian, e me u lejuar me u vjedh dhomat e dëshmive në polici, me lejuar që qeveria jonë me qenë çdo ditë në televizion për skandale korruptive, ato nuk janë vlera evropiane. Vjedhja e shtëpisë tënde nuk është vlerë evropiane. Abuzimi i shtëpisë tënde nuk është sepse Kosova është shtëpia jonë, keqpërdorimi i shtëpisë tende nuk është vlerë evropiane”, ka thënë Osmani, duke i ftuar klinasit që mos ta rrezikojnë shtetin duke e lënë atë në duart e partive të tjera.
/Epoka e re/