Osmani: Nuk munda ta refuzoj ofertën e Llapit
Labinot Osmani ka thënë për “Epokën e re” se nuk ka mundur të refuzojë ofertën e Llapit. Ai beson se me këtë skuadër mund të dalë në Evropë, kurse për ndarjen me Vushtrrinë “fajtore” e lë skuadrën e vendlindjes që nuk bëri asnjë projekt për edicionin e ri në elitë.
Sulmuesi Labinot Osmani është një nga lojtarët më të mirë në dhjetë vjetët e fundit në futbollin e Kosovës, por edhe ndër më të respektuarit. Pavarësisht prej moshës, ai vazhdon të jetë i preferuar nga skuadrat, kurse oferta e Llapit ishte e parefuzueshme dhe “Labi” vendosi të pranojë këtë ofertë. Sulmuesi vushtrrias ka thënë të dielën për “Epokën e re” se organizimi i mirë dhe synimet për të fituar trofe janë arsyet që ai e zgjodhi skuadrën e Llapit.
“Organizimi i mirë i klubit, por edhe projekti i tyre për krijimin e një skuadre konkurruese me ekipet më të mira në vend si dhe ambiciet për fitimin e trofeve dhe dalja në Evropë kanë qenë disa prej arsyeve që kam zgjedhur Llapin”, ka thënë Osmani.
Lojtari që ka bërë karrierë në shumë skuadra evropiane, përfshirë edhe Prishtinën dhe Feronikelin në edicionin e fundit, e ka udhëhequr skuadrën e Vushtrrisë drejt rikthimit në IPKO Superligë. Osmani nuk ka hezituar t’i tregojë edhe arsyet pse u largua nga kjo skuadër, ani pse në edicionin edhe Vushtrria është pjesë e elitës. “U inkuadruam në Superligë të gjithë së bashku me një punë të jashtëzakonshme duke filluar nga kryesia, stafi teknik, bashkëlojtarët , tifozët ‘Forca’ dhe gjithë qyteti i Vushtrrisë. Unë nuk e braktisa Vushtrrinë pasi kam qenë gjithmonë në kontakte me kryesinë e klubit, por kryesia nuk ka bërë diçka rreth organizimit për Superligë, të paktën derisa kam qenë ende pjesë e saj. Pastaj kam pasur shumë oferta të cilat nuk i kam shqyrtuar deri në çastet e fundit për arsye të pritjes së Vushtrrisë, sepse është etike të bisedohet me klubin ku kam qenë i lidhur, por që nuk ndodhi ndonjë takim, e në anën tjetër Llapi këmbënguli aq shumë sa nuk munda ta refuzoj ofertën e tij. Falënderoj Vushtrrinë për suksesin e arritur së bashku dhe Llapin për interesimin dhe kushtet e ofruara”, ka shtuar ai.
Osmani në skuadrën e Llapit do të jetë sërish bashkëlojtar me Mentor Zhdrellën dhe Enis Zaberxhën që ishin ndër më meritorët për arritjen e shpalljes kampionë. Krahas sulmuesve Osmani e Zaberxha, Llapi është përforcuar edhe me Sebino Plakun nga Shqipëria.
Plaku i bashkohet Llapit, largohet Zeqiri
Llapi në fundjavë arriti ta transferojë futbollistin e njohur nga Shqipëria, Sebino Plaku. 34-vjeçari ka një karrierë të bujshme ku është paraqitur për këto skuadra: Apolonia, Dinamo, Skënderbeu, Tirana, Partizani, Flamurtari dhe Kamza, si dhe Ham Kam e Slask jashtë Shqipërisë. Sulmuesi shqiptar do t’i prijë skuadrës që drejtohet nga Tahir Batatina në edicionin 2019/2020. Ndërsa nga skuadra e Llapit pas gjashtë vjetësh është larguar futbollisti Edon Zeqiri, i cila ka vendosur që karrierën të vazhdojë në skuadrën e Flamurtarit nga Prishtina.
/Veton ZYMBERI/