Osmani ofron mbështetje për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemi.
Sipas presidentes Osmani, hulumtimi i krimeve të kryera në kohë lufte, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit, torturës dhe krimet e tjera, është tejet me rëndësi për t’u dokumentuar, arkivuar dhe për t’u siguruar që e vërteta të mbrohet me qëllim të vënies së drejtësisë, si dhe të ruhet e të jetë në shërbim të brezave të ardhshëm.
“Puna e Institutit është angazhim i rëndësisë historike për ne si komb dhe si shtet”, ka thënë Osmani, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet IKKL-së dhe institucioneve lokale e atyre ndërkombëtare.
Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, ia ka dorëzuar presidentes Osmani Raportin Vjetor të Punës së Institutit, me ç’rast presidentja ka ritheksuar përkrahjen e palëkundur të Presidencës për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.