Osmani paralajmëron dakordim për çështjen e dinarit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se janë një sërë opsionesh që po diskutohen sa i përket zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, që parasheh që vetëm euroja të përdoret për pagesa të tilla.
Gjatë një deklarimi për gazetarë, Osmani tha më 31 janar se ajo pret që për dy ditë të ketë një dakordim për zbatimin e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Vendimi i BQK-së është kundërshtuar nga serbët në Kosovë, pasi kanë thënë se ai do të pamundësojë përdorimin e dinarit serb për të kryer pagesa me para të gatshme.
Komuniteti ndërkombëtar, ndërkaq, ka kërkuar nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit, por Qeveria e Kosovës ka argumentuar se ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“BQK-ja kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë, siç edhe kërkohet nga ky institucion. Kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës. Por, në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi në llogari të reja e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate. Siç e dini, për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, tha Osmani për gazetarët pas homazheve që bëri para shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë, raporton Rel.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të QUINT-it – Gjermania, Italia, Franca dhe Britania – kanë thënë se vendimi i BQK-së “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Osmani tha se kërkesa për dinarin është e ngjashme edhe me kërkesën që komuniteti ndërkombëtar kishte bërë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për çështjen e konvertimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato RKS- Republika e Kosovës.
Ajo kujtoi se tani në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, targat po konvertohen, dhe tha se ky vendim, sikurse në rastin e dinarit, kishte edhe aspektin e kushtetutshmërisë dhe sigurisë.
“Pra, për këto çështje [rregullorja e BQK-së] se si do të realizohen në praktikë, sa i përket përputhshmërisë në këto pjesë ku është sfiduese, do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë e jo vetëm në letër”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në nenin 11 të Kushtetutës parashihet që shteti të ketë në qarkullim dhe përdorim vetëm një valutë dhe se “Kushtetuta është mbi të gjitha”, por theksoi se aleatët e Kosovës – që kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit – nuk janë kundër Kushtetutës së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.