Osmani pas takimit me presidenten e KE-së: Qytetarët e Kosovës nga 1 janari udhëtojnë pa viza
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit që ka pasur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Osmani para mediave ka thënë se në takim kanë biseduar për planin e BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Takimi ynë është fokusuar në planin për rritjen e Ballkanit Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja. Krahas kësaj kisha mundësinë ta informojë Ursula von der Leyen për zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe angazhimet tona”, ka thënë Osmani, duke shtuar se plani për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla.
“Planin gjithëpërfshirës i bazuar në katër shtylla shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët evropian. Ky plan parasheh mbështetjen e BE-së përmes rritjes së asistencës financiare për reformat që duhet ndërmarrë. Në takim shpreha falënderimin që i dhanë epilog procesit të vizave, ku nga janari qytetarët do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë lëvizjen e lirë në zonën Schengen”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani ka thënë se Kosova ka qëllim anëtarësimin në BE dhe NATO, derisa ka kërkuar mbështetjen e Ursula von der Leyen.
“Kërkova po ashtu të largohen masat ndëshkuese nga BE”, ka thënë Osmani.