Osmani pas takimit me zyrtarët amerikanë: Angazhimi i ShBA-së në dialog, vendimtar për Kosovën
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes, Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.
Presidentja Osmani dhe Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Osmani ka falënderuar Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Osmani Ka thënë se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me ShBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, ka thënë Osmani.
Në takim me Chollet, presidentja Osmani, ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.
Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, ka konfirmuar partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të ShBA-së dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për dialog strategjik ndërshtetëror me ShBA-të, të iniciuar formalisht nga presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve.