Osmani për dialogun: Serbia po abuzon me dialogun që të krijojë kriza të reja në rajonin tonë
Presidentja Vjosa Osmani në një deklaratë për medie ka folur për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Ajo ka theksuar se Kosova ka dhënë dakordimin e saj për një marrëveshje në Bruksel dhe aneksin në Ohër, e cila është e qartë sa i përket obligimeve që dalin për të dyja palët.
“Pra nuk ka obligime vetëm për njërën palë, Republikën e Kosovës. Për të gjitha ato obligime që dalin nga marrëveshja sa i përket Republikës së Kosovës, ne në asnjë moment nuk e kemi për qëllim që të ikim prej tyre, përkundrazi është me rëndësi që ato të zbatohen sa më parë që të jetë e mundur por në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe gjithnjë duke pasur parasysh që mos të minohet funksionaliteti i brendshëm i shtetit tonë”, ka thënë Osmani, shkruan “Epoka e re”.
Ajo ka theksuar se Kosova në këtë proces ka garanci nga ShBA-të.
“Ne kemi garanci nga ShBA-të se ata nuk do të kërkojnë që ne të dalim jashtë kornizave që i përcakton sistemi ynë kushtetues dhe në asnjë moment nuk do të kërkojnë që të preket sovraniteti dhe integriteti territorial. Do të punojmë së bashku me ta. Duhet ta kemi parasysh se i gjithë ky proces nuk varet vetëm nga Kosova”, ka pohuar presidentja Osmani.
Ajo ka shtuar se: “Serbia deri më tani nuk ka treguar konstruktivitet, e ka dëshmuar se nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon, por që të abuzojë me dialogun që të krijojë kriza të reja në rajonin tonë”.