Osmani për licencimin e FFK-së: Po shqyrtohet dosja e re e klubeve, s’do të ketë asnjë lëshim

25 prill 2023 | 13:36

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka bërë të ditur se procesi i licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës është afër përfundimit, por se kjo do të varet nga ajo nëse dokumentacioni i ri i sjellë në këtë ministri nga ana e klubeve të futbollit është në rregull.

Osmani ka thënë se dosja e re me dokumente të klubeve tashmë është duke u shqyrtuar nga Komisioni për Licencim dhe nëse ato i plotësojnë kushtet e kërkuara sipas udhëzimit administrativ, atëherë FFK-ja do të licencohet menjëherë.

“Përkundër federatave të tjera, nuk është vetëm futbolli ajo e cila po sfidohet me këtë proces. Të gjitha ato që janë licencuar kanë hasur në vështirësi të mbledhjes së dokumentacionit që kërkohet sipas udhëzimit administrativ, mirëpo Federata e Futbollit tashmë siç edhe është bërë publike, është në prag të përfundimit të plotësimit të të gjitha kritereve. Federata i ka plotësuar të gjitha kriteret në një formë apo tjetër, mirëpo janë klubet ato që tani nëse nuk gaboj të enjten që ishte dita e fundit e punës në institucionet publike kanë sjellë dosjen e re me të gjitha komentet të cilat i kanë pranuar nga Komisioni për Licencim dhe komisioni gjatë kësaj jave do ta trajtojë. Urojmë që dokumentet të jenë të kompletuara dhe të mos ketë nevojë për kthim prapa përsëri”, ka thënë Osmani për KP.

Në lidhje me këtë çështje, në fillim të javës së kaluar në Kosovë ishte për vizitë një delegacion nga UEFA dhe FIFA. Osmani bënë të ditur se ata u njoftuan me të gjitha detajet e licencimit të FFK-së dhe se ata i kanë dhënë mbështetje këtij procesi. Për shkak të mos licencimit të Federatës së Futbollit, klubet janë ankuar se po humbin miliona euro nga pamundësia për ta shfrytëzuar Ligjin e Sponsorizimit, por Osmani ua ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë lëshim në këtë proces për klubet. Sipas saj, nëse këto klube kanë fituar miliona euro nga ky ligj, atëherë ato duhet të jenë në gjendje t’i përgatisin dokumentet që kërkohen për licencim. Së fundi, kryetari i FFK-së Agim Ademi është liruar nga arresti shtëpiak, por Osmani thotë se nuk është takuar e as nuk ka pasur ndonjë kontakt me të rreth zhvillimeve të fundit. Sipas saj, kryetari nuk duhet të merret me procesin e licencimit pasi është proces teknik. Procesin e licencimit deri më tani, Osmani bëri të ditur se e kanë kaluar 24 federata, derisa bëri thirrje që edhe federatat tjera ta plotësojnë sa më shpejtë dokumentacionin e kërkuar për ta marrë licencën nga ana e Ministrisë së Sportit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Florian Halimi shpall të pavlefshme dëftesën e ShMU të lëshuar…