Osmani për masakrën e Studimes: Dëshmi se Serbia ishte agresori dhe Kosova viktima
Të enjten është shënuar 25-vjetori i masakrës së Studimes, ku forcat serbe vranë 116 civilë të këtij fshati të Komunës së Vushtrrisë.
Në akademinë përkujtimore nën patronatin e kryetarit Ferit Idrizi, ka folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se si komb dhe si shtet ende duhet të përballemi me plagë të hapura dhe të pashërueshme.
Ajo ka thënë se historitë e masakrave janë dëshmi e fuqishme Kosova ishte viktima dhe jo agresori.
“Serbia shoviniste ishte agresori, se Serbia kreu krimet, ndërkaq Kosova mbronte vetveten”, ka thënë Osmani, duke shtuar se kjo e vërtetë do të mbrohet kurdo dhe kudo.
“Ngase lufta jone çlirimtare ishte luftë për liri, për mbrojtjen e të drejtës së dinjitetit tonë, për mbrojtjen e shtëpisë sonë njësoj sikur bëri secili dëshmor, hero, secili luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë Osmani.