
Osmani për të mbijetuarit e dhunës seksuale: Dhimbjen e shndërruan në guxim
14 prilli është data kur shënohet edhe Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.
Sot, pasi ka bërë homazhe te memoriali “Heroinat”, presidentja Vjosa Osmani, është deklaruar për nder të shënimit të kësaj dite.
E shoqëruar nga dy të mbijetuarat e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri Sylejmani, ajo ka thënë se gratë dhe burrat e Kosovës nuk kanë lejuar që dhimbja t’i mposhtë.
“Dhimbjen e kanë shndërruar në shembull të guximit dhe pamposhtjes dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për të bëmat e regjimit gjenocidal të Serbisë.
E para e vendit, ka theksuar se 14 prilli është dita kur nderohet sakrifica e grave, burrave dhe fëmijëve të Kosovës.
Sot, për herë të parë, Ramadan Nishori, ka vendosur të mos heshtë dhe të flas publikisht për ngjarjen e rëndë që i ka ndodhur atij gjatë luftës.
Ai ka kërkuar nga njerëzit që ta shohin me respekt dhe jo me keqardhje.