Osmani për “The Sun Online”: Serbia synon ta marrë Kosovën, siç bëri Rusia me Krimenë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.
Në një intervistë për “The Sun Online” ajo ka thënë se një situatë e rrezikshme po krijohet në Ballkan.
Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është “thellësisht i lidhur” me Putinin, duke shtuar se Serbia synon ta marrë territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia me Krimenë.
Osmani i kërkoi Perëndimit të vazhdojë t’i mbështesë ata, duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan do të destabilizojë më tej një Evropë tashmë të brishtë.
“Ky nuk është një problem i largët. Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lidhur me paqen në Londër, në Nju Jork, në Washington, në Paris, në Berlin, sepse historia tregon se mungesa e paqes dhe sigurisë në Evropë është mungesë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dhe kjo mungesë paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor do të thotë se është një Evropë e destabilizuar”, ka shtuar ajo. “Forcat paraushtarake serbe dhe organizatat kriminale ndihmojnë në shkaktimin e dhunës në veri të Kosovës, me Rusinë që importon armë dhe uniforma ushtarake. Serbia ka mbështetur hapur këto grupe në veri të Kosovës dhe ka kryer krime, duke përfshirë kryerjen e krimeve kundër serbëve që jetojnë në veri”, ka thënë ajo.