Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Demokracisë: Në çdo hap, Kosova reflekton forcën dhe frymën e demokracisë
Presidentja Vjosa Osmani, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin për Demokraci, i cili është organizuar të mërkurën virtualisht nga Republika e Koresë, nën udhëheqjen e presidentit Yoon Suk Yeol.
Samiti për Demokraci është nismë e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, në kuadër të së cilit Kosova ndër vite është shquar në mesin e vendeve kampione për sa i përket reformave dhe nismave të ndërmarra në drejtim të fuqizimit të vazhdueshëm të demokracisë.
Në deklaratën e saj, presidentja Osmani ka sjell në vëmendje rëndësinë jetike për forcim dhe zhvillim të mëtejshëm të demokracisë, duke theksuar domosdoshmërinë e unitetit nga shtetet demokratike përballë autokracive në rritje.
Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka thënë se zotimet që kemi ndërmarrë në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit tonë, si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje.
Në deklaratën e saj, presidentja Osmani ka theksuar se që nga takimi i fundit i liderëve, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci.
“Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e deklaratës së parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka folur edhe mbi përpjekjet e vazhdueshme për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t’i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike, duke theksuar se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave kanë qenë në themel të të gjitha zotimeve tona.
Në prag të edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë, presidentja Osmani ka theksuar se një ndër të arriturat më të mëdha këtë vit është themelimi i Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, në përputhje me Strategjinë për gratë, paqen dhe sigurinë 2023 të ShBA-së, si dhe Planin kombëtar të veprimit.