Osmani: Përgjigjja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për vrasjen e një gruaje në oborrin e QKUK-së, e cila ishte edhe shtatzënë.
Reportohet se ajo u vra nga ish-bashkshorti.
Osmani ka shkruar në “Facebook” se ky është krim makabër e çnjerëzor.
“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë”.
Presidentja ka thënë se kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund.
“Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës. Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se “asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne”.
“Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, ka shkruar Osmani.