Osmani: Personat e zhdukur janë plaga më e thellë e luftës, drejtësia për ta nuk shuhet kurrë

27 prill 2025 | 17:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

Në një postim në Facebook, Osmani tha se ata që mungojnë janë “plaga më e thellë e luftës” dhe theksoi se drejtësia për ta është një premtim që nuk shuhet kurrë.

“Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, me dhimbje e respekt të thellë kujtojmë qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Secili emër në atë listë është një jetë e ndalur dhunshëm, një familje që pret, një plagë që kërkon shërim, një ankth që nuk shuhet kurrë”, shkroi Osmani.

Ajo shtoi se, edhe pas 26 vjetësh nga përfundimi i luftës, Serbia vazhdon të refuzojë hapjen e arkivave që përmbajnë të dhëna për të zhdukurit me dhunë dhe për varrezat masive.

“Ky refuzim është përsëritje e përditshme e krimit, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre dhe ndaj gjithë Kosovës. Prandaj, lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë. Kujtojmë me nderim dhe kërkojmë drejtësi me vendosmëri,” përfundon reagimi i presidentes Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roma ka marrë fitore të madhe në udhëtim te Interi…