Osmani: Personat me sindromën down, potencial i jashtëzakonshëm për shoqërinë

21 mars 2022 | 16:37

Dhjetëra persona me sindromën down dhe qytetarë kanë marshuar në sheshet e Prishtinës, për të shënuar simbolikisht Ditën Botërore të Sindromës Down me moton “Ec me këpucët e mia”.

Me mesazhet “Mos më paragjyko”, “Ec me këpucët e mija”, “Të dashur dhe shumë pozitiv”, ata kanë marshuar nga Kuvendi i Kosovës deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”.

Pjesë e marshit ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se është me rëndësi që sot këtij marshi i janë bashkuar shumë qytetarë, duke treguar se niveli i vetëdijesimit në shoqërinë tonë po ngrihet rreth potencialit që e kanë fëmijët pa dallim.

“Si institucione duhet ta kuptojmë se personat me sindromën down janë potencial i jashtëzakonshëm për shoqërinë dhe duhet të mbështeten në  çdo segment të jetës së tyre sepse na dhurojnë shumë dashuri e ngjyra. Jemi në hapat e parë dhe kërkohet shumë punë”.

“Ne kaluam ditë të bukur dhe këta fëmijë shkëlqejnë nga sporti deri të muzika. Ua kemi borxh të bashkëpunojmë bashkërisht dhe të kuptojmë si është të ecim në këpucë të tyre”, ka thënë Osmani.

Më tutje, Osmani ka kërkuar që të merren parasysh modelet e shteteve tjera rreth integrimit të këtyre personave në shoqëri.

“Ne duhet t’i marrim parasysh modelet më të mira të shteteve dhe nëpërmjet atyre modeleve të sigurohemi që integrimi i tyre në shoqëri të ndodhë. Disa prej kërkesave të tyre janë terapi fizike me logopedi. Prandaj ne duhet të investojmë në kuadro të mirëfillta. Është me rendësi të investohet dhe përkrahen fëmijët me sindromën down. Duhet të rritet numri i asistentëve në shkolla”, ka thënë Osmani.

Ndërsa drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sabahate Hajdini-Beqiri, ka thënë se fëmijët me sindromën down, çdo ditë ballafaqohen me sfida të ndryshme. /EO/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti shqiptar i Baselit, Taulant Xhaka pritet të bëhet baba…