Osmani pjesë e konferencës për rolin e parlamenteve gjatë pandemisë globale Covid-19
Nën organizimin e Rrjetit parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në cilësinë e panelistes kryesore mori pjesë në konferencën virtuale ndërkombëtare mbi rolin e parlamenteve përgjatë pandemisë globale Covid-19.
Osmani njëkohësisht është edhe anëtare e bordit të këtij rrjeti.
Në këtë konferencë, kryeparlamentarja Osmani ka diskutuar për nismën legjislative për projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Covid-19, si dhe për të gjitha masat e tjera të ndërmarra nga Kuvendi i Kosovës, e të cilat ndërlidhen direkt me menaxhimin e pandemisë.
Në këtë kontekst, Osmani foli edhe për masat e ndërmarra nga Qeveria e vendit në luftimin dhe parandalimin e pandemisë, si për nevojat imediate të sistemit tonë shëndetësor.
Osmani po ashtu ka përmendur projektet e Bankës Botërore, të cilat janë duke u realizuar në Kosovë dhe të cilat kanë ndikim direkt në luftimin e pandemisë.
Ajo ka folur mbi rëndësinë e zvogëlimit të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia, si dhe rolin shumë të rëndësishëm të Bankës Botërore në ofrimin e asistencës për Republikën e Kosovës për të tejkaluar sfidat nga përballja me Covid-19.
Pjesëmarrës në konferencën virtuale parlamentare për pandeminë ishin ligjvënës e ministra nga e gjithë bota si dhe menaxhmenti i lartë i Bankës Botërore.
Qëllimi i konferencës ishte diskutimi dhe koordinimi ndërparlamentar se si të ndërmerren veprime të shpejta dhe të koordinuara për të zbutur efektet negative njerëzore dhe ekonomike të Covid-19. Ky takim ka shërbyer si platformë për parlamentarët për të mësuar më shumë rreth pandemive, përvojave dhe praktikave më të mira të parlamenteve në mbarë botën, si dhe rolin e Grupit të Bankës Botërore në ofrimin e këshillave të politikave, asistencës teknike dhe ndihmës emergjente të përshtatura për nevojat unike të vendeve.
/Epoka e re/