Osmani: Pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut, vendim i nevojshëm dhe i mençur

18 nëntor 2020 | 15:03

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në konferencën virtuale “E Ardhmja e Agjendës për Gratë, Paqen, Sigurinë dhe Drejtësinë në Kosovë dhe përtej”.

Kjo konferencë po mbahet me rastin e 20-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe me këtë rast u lansua edhe Rrjeti Mesdhetar i Grave Mediatore (MEWMN) – Dega në Kosovë.

Duke i përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrëset për punën e palodhshme për të avancuar angazhimin e grave dhe vajzave në procese të paqes, sigurisë e drejtësisë në Kosovë, u.d. presidentja Osmani ka theksuar që kjo konferencë, po ashtu paraqet një mundësi të mirë që të “reflektojmë dhe të identifikojmë se çfarë mund të bëjmë për t’i fuqizuar tutje veprimet tona në mënyrë që t’i përmbushim zotimet në kuadër të Rezolutës 1325”.

“Gratë në Kosovë kanë qenë historikisht dhe vazhdojnë të jenë shtyllë e shoqërisë tonë. Mirëpo, roli i tyre shpesh është margjinalizuar, vlerësimi i kontributit të tyre ka qenë më i zbehtë, e angazhimi i tyre në proceset e ditëve të sotme vendimtare për të ardhmen e vendit tonë është̈ ende larg niveleve të dëshiruara”, ka thënë Osmani.

Duke vënë theks të veçantë në angazhimin e grave në dialogun Kosovë-Serbi, u.d. presidentja Osmani ka thënë se aktualisht pjesëmarrja e grave në dialog mbetet ende në nivele brengosës.

Image preview

“E ne duhet të kemi të qartë që pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut është jo vetëm vendim i nevojshëm, por edhe vendim i mençur, e mbi të gjitha, është një dëshmi e përkushtimit për të respektuar objektivat e Rezolutës 1325”, ka deklaruar Osmani.

Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin përfaqësuesë të institucioneve vendore, ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…