Osmani: Policia e Kosovës, histori suksesi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e shënimit të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ku ka uruar të gjithë pjesëtarët e saj.
Ajo ka thënë se policia ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetësisë e Kosovës.
“Po e shënojmë 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, njërën nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit tonë, një shtyllë që ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. U jam thellësisht mirënjohëse për përkushtimin tuaj të treguar gjatë viteve të kaluara”, ka thënë Osmani, duke shtuar se policia është hallkë e rëndësishme dhe një histori suksesi.
“Policia e shtetit tonë me të gjitha segmentet e saj, përbëjnë jo vetëm njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetit, por edhe njërën nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të qëndrueshme, besueshmëria e së cilave ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e qytetarëve tanë”, ka thënë Osmani.