Osmani pranoi urime nga presidenti i Austrisë, Hungarisë, Finlandës dhe Sllovenisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar urime nga homologët e saj nga Austria, Hungaria, Finlanda dhe Sllovenia.
Në urimet e tyre, krerët e këtyre shteteve kanë shfaqur gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin me shtetin e Kosovës duke thelluar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale.
Presidenti austriak Alexander Van der Bellen, në mesazhin e tij ka uruar presidenten Osmani duke i dëshiruar sukses në përmbushjen e detyrave. Ai, gjithashtu ka shfaqur shpresën për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit.
Në urimin e tij, presidenti hungarez Janos Ader ka shfaqur shpresën për përfundimin e pandemisë Covid-19, si dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet të të dy shteteve. Ader, gjithashtu ka theksuar se Hungaria mbështet rrugën evropiane të Kosovës.
Presidenti i Finlandës, Sauli Niniisto, ndërkaq ka shprehur gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve miqësore m Kosovën në nivel bilateral, por edhe në forumet multilaterale.
Ndërkaq presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në telegramin e urimit ka theksuar se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për prosperitet dhe konsolidim të institucioneve demokratike, sundimit të rendit dhe ligjit.
Kreu i Sllovenisë, gjithashtu ka shfaqur shpresën për bashkëpunim në kuadër të Procesit Brdo-Brijun, i cili do të mbahet në këtë shtet.