Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat
Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit ushtarëve të rinj të FSK-së, ka premtuar program shtetëror të bazuar në shtatë shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve.
Ajo ka thënë se ky program është realizuar duke u bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e vendit.
“Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime, të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka listuar Osmani disa nga pikat.
Pikat tjera kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së.