Osmani pret në takim ambasadoren e Finlandës

26 prill 2021 | 15:36

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës në Republikën e Kosovës, Pija Stjernvall, cila në këtë takim ka theksuar se pritshmëritë ndaj institucioneve të reja janë të mëdha, gjersa konfirmoi gatishmërinë e Finlandës për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj përpara.

Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadoren Stjernvall për mbështetjen e Finlandës për Kosovën, duke thënë që raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyeshme dhe që qeverisja e re është e gatshme të punojë në thellimin e tyre.

Palët diskutuan edhe për vaksinat dhe nevojën për mbështetje të të gjithë partnerëve për Kosovën në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë.

Presidentja Osmani ka pohuar se orientimi i Kosovës është i qartë.

“Edhe në këtë sfidë pandemike, orientimi properëndimor i Republikës së Kosovës ka qenë i paluhatshëm, dhe një qasje e tillë duhet të vlerësohet dhe jo të ndëshkohet”, ka theksuar Osmani.

Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogu me Serbinë, me ç’rast presidentja Osmani ka thënë se sigurimi i vaksinave është parakusht në mënyrë që institucionet të mund të angazhohen efektivisht në çfarëdo procesi tjetër, duke përfshirë edhe atë të dialogut.

Sipas saj, në dialog shkohet për efektshmëri dhe arritje të rezultateve që përfundimisht do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për zgjerim të bashkëpunimit dhe komunikim të rregullt për bashkërenditje të angazhimit në këtë drejtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata komerciale dhe rritja e efikasitetit të gjyqësorit ishin disa…