Osmani pret në takim përfaqësuesit e KiE-së të cilët do t’i monitorojnë zgjedhjet e 9 shkurtit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr, i cili do t’i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.
Në takim është theksuar se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, ndaj presidentja Osmani ka vlerësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend.
Presidentja Osmani ka nënvizuar nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.
Më tutje, presidentja Osmani, ka potencuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.