Osmani pret që marrëveshja me VV-në të finalizohet në nëntor
Sipas Vjosa Osmanit, kandidate e LDK-së për kryeministre, diskutimet për koalicion paszgjedhor me VV-në do të finalizohen në nëntor.
Ajo ka thënë se pas certifikimit të rezultateve, pret që diskutimet të mos zgjasin më shumë se dy-tri javë.
Osmani ka shtuar se VV-në e shohin si alternativën e vetme për bashkëqeverisje dhe se nëse dështon kjo marrëveshje, nuk i frikësohen zgjedhjeve.
“Është mirë që të synojmë të arrijmë marrëveshje në kohë rekord. Kur të certifikohen rezultatet të mos na marrë më shumë se dy-tri javë. Brenda nëntorit, nëse gjatë tetorit kemi rezultat final atëherë brenda nëntorit do të duhej të finalizojmë diskutimet. Kemi vullnet që sa më shpejtë të përfundojmë diskutimet, pasi të dihen rezultatet. Nëse edhe VV-ja ka vullnet, s’shoh se mund të ketë probleme të mëdha. Ne nuk shohim asnjë partner tjetër qeverisës, e shohim vetëm VV-në. Nëse VV nuk do të arrijë marrëveshje, shkojmë në zgjedhje të reja. S’i frikësohemi zgjedhjeve. Shpresoj që edhe VV-ja të tregojë po të njëjtin vullnet që këtë ndryshim që e votuan qytetarët ta bëjmë vullnet”, ka thënë ajo në emisionin “Interaktiv”.