Osmani priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, së bashku me ekipin e tij, të cilëve u ka uruar suksese të mëtejme në detyrën e përfaqësimit të interesave të qytetarëve të Bujanocit.
Gjatë takimit, presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i mbështetur vazhdimisht shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në realizimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet më të larta për të drejta të njeriut.
Po ashtu, në këtë kontekst, presidentja dhe kryetari Pajaziti, kanë diskutuar edhe për lehtësimin e procedurave të shtetësisë për qytetarët nga këto komuna, duke theksuar rëndësinë e adresimit të sfidave me të cilat përballen ata.
Kryetari i Bujanocit ka falënderuar presidenten për ngritjen e zërit për të drejtat e shqiptarëve në Luginë në të gjitha forumet ndërkombëtare, ndërkaq diskutuan edhe për një sërë iniciativash nëpërmjet të cilave mund të përkrahen shqiptarët në Presheve, Medvegjë e Bujanoc.