Osmani priti në takim lamtumirës përfaqësuesen rezidente të UNDP-së në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës përfaqësuesen rezidente të UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, të cilën e falënderoi për angazhimin e saj përgjatë katër viteve të fundit në zbatimin e projekteve me në qendër të tyre mbështetjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Presidentja Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin, ndryshimet klimatike dhe personat me nevoja të veçanta.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e mirëfilltë ndërmjet Zyrës së Presidentes dhe UNDP-së gjatë edicionit të kaluar të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe nismës së mbjelljes së drunjve, nisma të cilat vazhdojnë edhe këtë vit.
Suokko shprehi falënderimin e sinqertë për bashkëpunimin me presidenten Osmani dhe zyrën e saj dhe në të njëjtën kohë e njoftoi edhe për projektet e reja që priten të fillojnë të zbatohen gjatë muajve në vazhdim në Kosovë.