Osmani promovoi projektin në mbrojtje kundër Covid-19 për kategoritë e rrezikuara sociale
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani mori pjesë në përurimin e projektit “Furnizimi me mjete mbrojtëse kundër Covid-19 për kategoritë e rrezikuara sociale”, në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.
Projekti është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada e Luksemburgut, ndërkaq është realizuar nëpërmjet Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve (PRAK). Projekti synon t`i furnizojë me maska dhe dezinfektues këtë kategori, e cila konsiderohet me rrezikshmëri më të lartë të infektimit.
Nga ky projekt mbështeten tetë strehimore në nivel vendi, shtëpitë për komunitet, shtëpitë për të moshuar, SOS fshatrat e fëmijëve, Instituti Special i Shtimes dhe shfrytëzuesit e banesave sociale.
Kryetarja Osmani falënderoi ekipin e Strehimores për punën që po bënë, teksa e vlerësoi të domosdoshme zbatimin e masave anti Covid-19.
Drejtueset e Strehimores theksuan nevojën për mbështetje më të madhe nga niveli qendror, posaçërisht nëpërmjet linjave të përhershme buxhetore, me të cilat mundësohet stabilitet në punën me viktimat e dhunës në familje, si dhe kategorive të ngjashme.