Osmani: Qytetarët e Kosovës festën e pavarësisë së ShBA-ve e përjetojnë si festë të tyre
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ditën e pavarësisë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se shqiptarët sot ndihen të bekuar me miqësinë me ShBA-të.
Sipas saj, qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së ShBA-ve si festë të tyre.
Postimi i Osmanit:
Sot, populli amerikan feston 245-vjetorin e pavarësisë, kurse ne miqtë e tyre bashkëfestojmë me ta, ngaqë kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë e të mosvarmë.
Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.
Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.
Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme”.