Osmani: Rajoni po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e regjimit serb
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerëson se integrimi i shpejtë i Kosovës dhe shteteve të rajonit në BE dhe NATO është parakusht për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Osmani thotë se veprimet e regjimit serb gjithnjë e më shumë po kërcënojnë rajonin. Këto i ka thënë Osmani gjatë takimit me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në New York
“Integrimi i shpejtë i Kosovës dhe i vendeve të tjera të rajonit në BE dhe në NATO është parakusht për ruajtjen e stabilitetit në rajon, i cili, fatkeqësisht po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e regjimit serb, i cili vazhdon e mentalitetin e viteve ‘90””, ka thënë Osmani.
Osmani ka njoftuar presidentin e Finlandës për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se Kosova gjithnjë ka qenë palë konstruktive.
“Presidentja Osmani e njoftoi Presidentin e Finlandës se Kosova gjithnjë ka qenë palë konstruktive në dialog me Serbinë, përkundër faktit që Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera dhe ende mban peng afër 2000 njerëz të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Presidenti i Finlandës, Niinisto, tha se populli finlandez i kupton sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe ka vlerësim pozitiv për përpjekjet e vendit tonë për të rritur numrin e njohjeve e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, si dhe për reformat që po ndërmirren për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, thuhet nga Presidenca.