Osmani: Raportet me ShBA-në janë ekzistenciale për Kosovën
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për Shërbimet e Inteligjencës.
Raportet me ShBA-në, presidentja Osmani i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndaj ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.
Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e ShBA-së.
“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në takim me kongresistin Tuner, presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.
Në raport me bashkëpunimin me ShBA-të, presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e ShBA-ve është esenciale.
Më tutje, presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të ShBA-së në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.
Ndërsa në raport me situatën në veri të vendit, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ka ripotencuar rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.