Osmani: Rexhep Boja la gjurmë në përfaqësimin e Republikës së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ngushëlluar familjen Boja, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-ambasadorit të Kosovës në Arabinë Saudite, profesorit dhe ish-kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Boja.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të dr. Rexhep Bojës, myftiut shumëvjeçar të BIK-ut. Ndarja nga jeta e z. Boja është humbje e madhe për familjen, miqtë, besimtarët islamë dhe mbarë popullin e Kosovës. Ne do ta kujtojmë përherë z. Boja si njeri të urtë, i cili, duke qenë në krye të Bashkësisë Islame në vitet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, gjatë viteve ’90, ndikoi që solidariteti, besimi dhe paqja ndërmjet qytetarëve të Kosovës të kultivoheshin e të thelloheshin më tej”, është thënë në telegram ngushëllimin e Osmanit.
Më tutje, Osmani ka thënë se Boja la gjurmë edhe në përfaqësimin e Republikës së Kosovës duke shërbyer si ambasador.
“Po kështu, ai la gjurmë edhe në përfaqësimin e Republikës së Kosovës, duke shërbyer, përveç tjerash, edhe si ambasador fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite. La një kontribut të çmuar edhe në sferën akademike. I përjetshëm qoftë kujtimi për dr. Rexhep Bojën”, është thënë në telegram ngushëllimin e Osmanit.