Osmani: Rihapja e temës së urës në Bruksel me Vuçiqin, e rrezikshme

19 gusht 2024 | 23:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se rihapja e temës së urës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme.

“Kjo çështje ka përfunduar sa i përket dialogut me Serbinë, por duhet të ketë koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me NATO-n”, është shprehur ajo.

Presidentja theksoi se koordinimi brenda Kosovës me aleatët do të ndikonte edhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe do të rriste besimin dhe entuziazmin për të ndihmuar Kosovën edhe në rrafshin e njohjeve të reja dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, Osmani tha se ato, gjatë dy vjetëve të fundit, janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por theksoi se ndonjëherë ka nevojë për më shumë hapësirë që të diskutohet me qytetarët, që të kuptohet qëllimi.

Osmani i vlerësoi të tmerrshme për qytetarët në veri ato që ajo i quajti ndërhyrje ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës nga Vuçiqi.

Ajo deklaroi se nuk mund të ketë integrim të qytetarëve serbë në veri, derisa ata, sipas saj, janë nën presion të bandave kriminale.

Sa i përket dërgimit të draft-statutit të Bashkimit Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, Osmani tha se nuk ka hezitim, por se ai ekziston te zbatimi i njëanshëm i Marrëveshjes bazë, ku, sipas saj, Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja.

Osmani tha se është duke diskutuar me aleatët ndërkombëtarë që Kosovës t’i ofrohen garanci të sigurisë dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare nëse nga Kosova kërkohet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit.

Për bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës, Osmani tha se bashkëpunon me të për çështje të interesit nacional, për interesin e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se në fillim të vitit…