
Osmani: Rinia, transformuesi i vërtetë i shoqërisë
Të rinjtë janë forca e vërtetë vepruese për ndryshimet e mëdha në shoqëri. Kështu ka thënë të mërkurën kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një pritjeje që u ka bërë përfaqësuesve të disa organizatave të të rinjve, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Ajo u ka thënë aktivistëve rinorë të rrjetit global të të rinjve, “Global Shapers Community”, “Hope Lipjan: dhe Qendrës së Rinisë në Drenas se transformimi i vërtetë i një shoqërie nis nga edukimi i mirëfilltë i të rinjve dhe krijimi i mundësive për ushtrim të kreativitetit të tyre.
“Këto janë parakushte për realizimin e aspiratës suaj për ta transformuar shoqërinë dhe për krijimin e hapësirës së domosdoshme vepruese për ju”, ka thënë Osmani.
Krahas edukimit, kryetarja Osmani ka diskutuar me ta edhe për domosdonë që të rinjve t’u ofrohen më shumë shanse për të zhvilluar punë praktike në institucionet e vendit, si dhe mundësi për punë vullnetare, si periudhë kalimtare ndërmjet edukimit formal dhe tregut të punës. Kjo, sipas Osmanit është shumë e rëndësishme, sidomos në vendet sikur Kosova, ku shkalla e papunësisë së të rinjve është ende shumë e lartë.
Ndërsa përfaqësuesit e të rinjve e kanë falënderuar Osmani për pritjen dhe kanë theksuar se e shohin si tepër të rëndësishëm krijimin e urave lidhëse ndërmjet organizatave rinore dhe vendimmarrësve politikë, ngase adresimi i problemeve të të rinjve te vendimmarrësit mund ta rrisë hapësirën kreative për të rinjtë, por, po kështu ndikon ndjeshëm edhe në rritjen e besueshmërisë së tyre në institucionet e vendit.
Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që të rinjve t’u krijohen mundësi që problemet e tyre t’i adresojnë drejtpërdrejt te vendimmarrësit.
“Bashkëpunimi është jetik për rikthimin e besimit të rinisë në institucionet e vendit”, kanë thënë përfaqësuesit e këtyre organizatave.