Osmani: Roli i ShBA-së në dialog është përcaktues
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Nju-Jork me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jon Finer.
Gjatë takimit me Finerin, Osmani ka thënë se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.
Ajo ka theksuar se Kosova ka nevojë “për më shumë bashkëpunim politik” me ShBA-në. “Heqja e masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i ShBA-së, është përcaktues në dialog”, ka thënë Osmani sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e saj, ku është bërë me dije se në këtë takimin është biseduar edhe për tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Osmani ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës “dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me ShBA-në, për të adresuar sfidat e sigurisë”.
Në takimin me zyrtarin amerikan, Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimeve të serbëve lokalë, të cilët kanë bojkotuar zgjedhjet lokale të prillit.
BE-ja dhe ShBA-ja kanë kërkuar nga Kosova që të ndërmarrë masa për shtensionimin e situatës. Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave ndërkombëtare, blloku evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në fillim të korrikut.
ShBA-ja, që e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, ka porositur se themelimi i Asociacionit duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet të bëjë Kosova.