Osmani: Rruga e Kosovës është e qartë, kam besim se do ta kemi mbështetjen e plotë të ShBA-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim tre senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë, në përmbyllje të një vizite në rajon.
Në një konferencë të përbashkët për disa media, pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se dhe kjo vizitë dërgon mesazh dhe tregon përkushtimin e ShBA-së për rajonin tonë.
“Si aleati ynë më i madh e i zëshëm, ShBA-ja luan rol në rajonin tonë, në Kosovë, dhe e mirëpresim këtë angazhim. Rendi dhe siguria është nën kërcënim. Informova mysafirët nga Senati për rolin që Serbia dëshiron ta luajë në rajonin tonë. Ne bashkërisht do t’i ndalojmë këto ndikime malinje, sepse është vullnet i popullit të Kosovës”.
“Kur punojmë së bashku me ShBA mund të arrijmë gjithçka. Jemi me fat që vazhdojmë të kemi mbështetjen e secilës administratë amerikane. Përkushtimi ynë është kyç për të nderuar mbështetjen nga ShBA-ja. Fola për synimin tonë hapat drejt integrimit euroatlantik. Rruga e Kosovës është e qartë dhe kam besim së do të kemi mbështetjen e plotë të ShBA”, ka thënë Osmani, raporton “EO”.