Osmani: Serbia do tensione
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë në kontakt të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë në raport me çështjen e targave të makinave, konvertimi i të cilave nga ato që i lëshon Serbia në ato RKS ( Republika e Kosovës), ka afat deri më 31 tetor.
“Tensionet, natyrisht që i ka për qëllim Serbia, por ne po punojmë me partnerët tanë që ato t’i parandalojmë”, ka thënë Osmani të premten kur është pyetur nga “Klan Kosova” se nëse ka rrezik për tensione në veri të vendit.
Ndërkohë për raportet me Uashingtonin, nga ku po vijnë thirrje çdo herë e më shumë që qeveria kosovare të shtyjë afatin për ndërrimin e targave, presidentja Osmani ka thënë se janë të forta.
“Ashtu siç e ka thënë sekretari Blinken, raportet me ShBA-në janë të palëkundura dhe ashtu do të mbesin. Ju siguroj”, ka thënë presidentja.
E para e shtetit, ka thënë se nuk ka çfarë t’i shtojë qëndrimeve të saj që i ka thënë në dy – tre ditët e fundit, për çështjen e targave.
“Besoj që mund të diskutoni me kryeministrin për bisedat që ai i ka pasur”, ka thënë Osmani kur është pyetur për t’i komentuar thirrjet e zyrtarëve amerikanë me shefin e qeverisë, Albin Kurti.
Vetë Kurti, ka thënë se për këto zhvillime do flasë në orën 16:00 në mbledhjen e qeverisë.