Osmani: Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çdo kusht.
Kështu ka deklaruar e para e shtetit në një intervistë për mediumin italian “La Repubblica”.
Osmani ka thënë se Serbia kreu një akt agresioni të dielën e shkuar, ku një grup prej 30 personave terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës. Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë.
“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”, është shprehur presidentja Osmani në një intervistë për mediumin italian.
Osmani gjithashtu shtoi se Serbia është duke vepruar shumë më ndryshe se ajo që është parë në 25 vitet e fundit.
“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më datën 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke përforcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë”, potencoi Osmani.