Osmani: Serbia vazhdon mohimin e krimeve në Kosovë, ndërsa BE-ja e shpërblen atë
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, në ditën ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të gjenocidit, ka akuzuar Serbinë për mohimin e krimeve të kryera në Kosovë.
Ajo thënë se në vend të dënimit të kriminelëve serb, Bashkimi Evropian është duke e shpërblyer Serbinë me hapjen e një kapitulli për integrim në këtë organizatë.
“Në ditën ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën si rezultat i politikave gjenocidale të shtetit serb, dhe në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim. Edhe pas më shumë se dy dekadash, shteti serb vazhdon me politikën e mohimit të këtyre krimeve, nuk shprehë keqardhje për viktimat e pafajshme dhe tenton të rishkruaj historinë edhe pse krimet serbe ndodhën para syve të të gjithë botës. Përderisa ne sot kujtojmë të gjithë ata që humbëm, Bashkimi Evropian, pikërisht sot, po e shpërblen Serbinë me hapjen edhe të një kapitulli në procesin e integrimit evropian”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/