Osmani serish thotë se kurrë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në
Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur tubim në qytetin e Suharekës.
Në fjalimin e mbajtur në prani të anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo ka thënë se mundi dhe sakrifica për shtetin nuk vlerësohet duke e vjedhur shtetin.
Osmani ka theksuar se LDK-ja kurrë nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e duan Republikën e Kosovës.
Ajo ka thënë se LDK-ja kurrë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në.
“LDK-ja nuk do të gjejë kurrë një partnerë që i amniston krimet. LDK-ja nuk bën koalicion me ata që nuk e duan Republikën e Kosovës. Ju e dini se kush nuk e do Kosovën. LDK-ja nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në. Partneritet ka vetëm me ata që e duan Republikën e Kosovës”, është shprehur Osmani.