Osmani: ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit ShBA-Afrikë, gjatë vizitës zyrtare në Teksas të ShBA-së, në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset e në të cilat ShBA-të kanë luajtur një rol vendimtar. Me pjesëmarrjen e ish-presidentit George W. Bush dhe në prani të liderëve afrikanë, u diskutua për sukseset 20 vjeçare të punës transformuese të MCC-së.
Në sesionin special të moderuar nga senatori republikan Mike Johanns, presidentja Osmani ndër të tjera foli për partneritetin e jashtëzakonshëm me SHBA-të, me ç’rast e potencoi në veçanti edhe bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në.
Presidentja Osmani ka bërë një falënderim të posaçëm për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e Presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së.
Më tutje, Osmani ka thënë se “ShBA-ja ka luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës”.
“Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së dhe Kosovës simbolizon progresin, ambicien dhe vizionin e përbashkët për demokraci dhe të ardhme të qëndrueshme”, ka thënë Osmani.
Sipas presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit.
Në adresimin e saj, Presidentja Osmani ka folur për hapat e bërë nga Kosova në nxitjen e rritjes ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Sipas presidentes Osmani, ka rezultate të jashtëzakonshme nga partneriteti me MCC-në, i cili ka ndihmuar që zhvillimi jo vetëm i këtij sektori, të shkojë në drejtimin e duhur.
“Projektet ambicioze reflektojnë një vizion afatgjatë për Kosovën, duke siguruar që partneriteti ynë me MCC-në të çojë në ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme”, ka theksuar presidentja Osmani.
Osmani ndër të tjera ka theksuar se me pjesëmarrjen në këtë Samit, si dhe me ndihmën e MCC-së në vazhdimësi, janë krijuar mundësi për t`i prezantuar të arriturat e Kosovës ndër vite, por edhe për të filluar partneritetin me shtetet afrikane.
Ndërsa në një postim në “Facebook”, Osmani ka shkruar se roli i ShBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë.
“Roli i ShBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, ndaj ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë”, ka shkruar Osmani.