Osmani: ShBA-ja s’ka kërkuar të heqim dorë nga njohja reciproke me Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës një marrëveshje finale me Serbinë, pa njohje reciproke.
Osmani ka theksuar se presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken kanë kërkuar me shkrim që njohja reciproke të jetë në qendër të dialogut.
“Sa i përket marrëveshjes finale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës një marrëveshje finale pa njohje reciproke. Po ashtu më lejoni ta potencoj një gjë që është konfirmuar edhe nga partnerët tanë strategjikë më shumë se një herë: njohja reciproke është e vetmja zgjidhje e cila sjell paqen dhe stabilitet afatgjat në rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani.