Osmani: Shtesat për policë të domosdoshme për trajtim të drejtë dhe të dinjitetshëm
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka takuar sot kryetaren e sindikatës së policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, dhe kryetarin e rajonit të Gjilanit të sindikatës së policisë së Kosovës, Ragip Ajeti, të cilët e kanë njoftuar kryeparlamentaren me sfidat me të cilat po ballafaqohen policët gjatë pandemisë, duke përmendur orarin e tejzgjatur, moskompensimin e angazhimit në ndërrimin e natës si dhe orëve shtesë.
Sipas tyre, shpërfillja e kategorisë së policëve nga Qeveria përbën shqetësim dhe zhgënjim të kësaj kategorie.
Osmani, ka theksuar se është e pafalshme që policët e Kosovës, të cilët me profesionalizmin e tyre kanë bërë që Policia e Kosovës tradicionalisht të cilësohet ndër institucionet më të besuara në vend, të trajtohet në mënyrë të padinjitetshme.
Ajo pohoi se kontributi i policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë është i pazëvendësueshëm.
Ajo ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre, të cilat ajo i cilësoi si minimale.
Duke rikujtuar se ajo ka qenë e zëshme në artikulimin e kërkesave të policëve në Kuvend, sidomos të kërkesës për dhënie të shtesave gjatë pandemisë, Osmani e ka siguruar Sindikatën e Policisë së Kosovës se do të vazhdoj ta ngrisë zërin që policët të marrin trajtimin e merituar nga Qeveria e Kosovës.