Osmani shtrëngon duart me Biden dhe zyrtarë të tjerë në Nju Jork, kë po takon Kurti?
Presidentja Vjosa Osmani qe një javë po qëndron në Nju Jork të SHBA-së në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Për këtë ngjarje gjashtë ditë më vonë udhëtoi edhe kryeministri Albin Kurti. Të dy kanë njoftuar ngjashëm mbi qëllimin e vizitave veçse shefi i ekzekutivit përmendi angazhimin lidhur me shtetet mosnjohëse. Dy krerët e vendit po zhvillojnë takime bilaterale dhe po marrin pjesë në panele, por kënd po e takon Osmani e kënd Kurti?
Më 19 shtator Zyra e Osmanit tha se ajo në takime me homologët e saj do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë.
Ngjashëm njoftoi edhe Zyra e Kurtit më 25 shtator që tha se përmes takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj.
Para nisjes, Osmani agjendën e kishte diskutuar edhe me Ambasadorin e SHBA’së në Kosovë Jeff Hovenier.
Vizitën në SHBA Osmani e nisi me një pritje nga kadetët dhe ushtarakët amerikanë të akademisë së famshme ushtarake West Point që i brohoritën Kosovës.
Deri më tani, nga Osmani u panë fotografi me liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin amerikan Joe Biden. Me të nuk pati takim bilateral, por një dorështrëngim nga samiti për Ukrainën ku ishte e ftuar.
“E nderuar me ftesën e Shtëpisë së Bardhë që t’i bashkohem liderëve të tjerë botërorë në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në Nju Jork, në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara”, shkroi Osmani në Facebook.
Në këtë fotografi, Osmani ishte krah kryeministrit britanik Keir Starmer, me të cilin po ashtu u përshëndet.
Bidenin Osmani e falënderoi edhe për ftesën në Samitin Global kundër Drogave Sintetike ku presidenti amerikan ishte folës, ndërsa presidentja tha se në këtë samit kishte mundësinë të bashkëbisedojë edhe me liderë të tjerë botërorë.
Përveç Bidenit, Osmani ndau fotografi edhe me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-sekretaren, Hillary Clinton, në pritjen e tyre ku tha se ajo ishte “mes liderëve të shumtë nga shtete mike të Kosovës”.
“Faleminderit, President Clinton dhe Sekretare Clinton, për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për Republikën e Kosovës! Liria e popullit tonë mban edhe vulën e kontributit tuaj të pakrahasueshëm!”.
Osmani gjatë kësaj jave në Nju Jork njoftoi edhe për disa takime bilaterale.
Ajo u takua me Sulltanin e Bruneit Haji Hassanal Bolkiah, me vendin e të cilit tha se ka shumë potencial për rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë, “ndaj edhe shpreha përkushtimin tonë të plotë për intensifikimin tutje të marrëdhënieve dypalëshe”.
Osmani një “takim produktiv” e pati edhe me ndihmëssekretaren amerikane për të drejtat e njeriut, Dafna H. Rand.
Përveç diskutimit për “thellimit të bashkëpunimit” në këtë këtë fushë, Osmani tha se asaj ia ngriti shqetësimin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Në takim, ndër të tjera, ngrita edhe shqetësimin për shkeljen flagrante të të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe spastrimin etnik nga Serbia nëpërmjet masave administrative”, tha ajo.
Po ashtu, Osmani atje takoi kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, të cilën tha se e falëndeori mbështetje të vazhdueshme për sektorin e energjisë në Kosovë, “përmes marrëveshjes historike në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e e cila po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë”.
Në Nju Jork Osmani ka takuar edhe presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani, të cilin tha se e ka falënderuar për “mbështetjen e patundur” për Republikën e Kosovës.
“Bashkë, diskutuam rritjen e bashkëpunimit midis dy shteteve tona, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.
Presidentja ka njoftuar edhe për takimin me ambasadorin Michael Carpenter, Drejtor i Lartë për Europë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, “ku diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-ShBA në tejkalimin me sukses të sfidave të përbashkëta”.
Ndërsa sot Osmani tha se pati një “diskutim të frytshëm me Presidentin e Gambias, Adama Barroë.
“Mundësi e shkëlqyer për ta rikonfirmuar përkushtimin tonë ta përbashkët për forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve tona, si dhe për ta avancuar bashkëpunimin në dobi të qytetarëve tanë”.
Të enjten pasdite njoftoi edhe për takimin me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien.
Mbrëmë kur të dy krerët ishin në Nju Jork, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ftesën ia çoi presidentes për takimin tradicional me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Borrell i quajti vendet e rajonit si “shtetet tona anëtare të ardhshme”, ndërsa për takimin tha se ishte një mundësi për të thirrur sërish mbi nevojën për zgjidhjen e “mosmarrëveshjeve ekzistuese dypalëshe”.
Në këtë takim nga Shqipëria mori pjesë kryeministri Edi Rama, ndërsa nga Serbia presidenti Aleksandar Vuçiq.
Deri më tani, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për katër takime; me dy homologë, një Princ dhe një drejtoreshë të FMN-së.
Ai tha se takimet i nisi me “mbështetës të palëkundur të shtetit të Kosovës.
I pari i njoftuar ishte takimi bilateral me kryeministrin e Principatës së Lihtenshtajnit, Daniel Risch, i cili ishte edhe takimi i tyre i parë.
Kurti falënderoi atë për mbështetjen e Lihtenshtajnit për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe në Bashkimin Europian meqë ky shtet ka qenë “përkrahës i vazhdueshëm ndaj proceseve integruese të Kosovës”.
Kurti dhe Risch bashkë diskutuan edhe për mundësitë për lehtësimin e bashkëpunimit tregtar përmes eliminimit të tatimit të dyfishtë, tha ZKM.
Takimi i dytë për Kurtin ishte me drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës atje.
Qëndrimin në SHBA e vijoi me kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson.
Kurti e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur ndaj Kosovës në etapat shtetndërtuese, si dhe për përkrahjen mbi liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Europës.
“Duke shprehur orientimin pro perëndimor të Republikës së Kosovës dhe qëllimin kyç të vendit për anëtarësim në NATO, ku Islanda është edhe një nga anëtaret themeluese, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Islandës për aderimin në këtë organizatë. Përgjatë takimit u bisedua dhe për mbështetjen në rihapjen e hapësirës së ulët ajrore, e ku kryeministri kërkoi po ashtu edhe përkrahjen e Islandës për anëtarësimin tonë në organizata si ICAO, EASA dhe Eurocontrol”, njoftoi ZKM.
Ndërkaq, sot Kurti u prit në Neë York nga Princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, me të cilin foli rreth fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit e rritjes së investimeve.
“U bisedua dhe mbi potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e ripërtëritshme, agrikultura e infrastruktura. Kryeministri Kurti i ftoi kompanitë kuvajtiane që të vijnë të investojnë e zgjerojnë fushëveprimtarinë e tyre edhe në Kosovë duke operuar në një ambient të sigurt të të bërit biznes si dhe shtoi mundësinë e mbajtjes së një forumi investitorësh për bizneset në Kosovë”.
Ndërkaq ndërmjet takimeve bilaterale, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti mori pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, që kryesohej nga presidenti i saj, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
“Aty theksova se përballë sfidave kryesore të kohës sonë, vlerat socialdemokrate, të rrënjosura në solidaritet, barazi dhe prosperitet të përbashkët janë më relevante se asnjëherë më parë”.
“Takimet vazhdojnë”, tha Kurti.
I fundit takim në Nju Jork për të cilin raportoi shefi aktual i Qeverisë së Kosovës ishte ai me Zëvendëskryeministrin dhe kryediplomatin e Luksemburgut Xavier Bettel. GazetaExpress.