Osmani: Sonte nuk mund të shpallet fituesi, fitore e madhe e opozitës

06 tetor 2019 | 23:48

Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, ka thënë se sonte s’mund të flitet për fitues, pasi duhet të pritet deri në numërimin e të gjitha votave.

Osmani ka thënë se rezultati i sotëm tregon fitore të madhe të opozitës. “Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor e në veçanti për pjesëmarrjen masive që rezultoi me largimin e partive që deri tani kanë keqqeverisur e me fitoren e madhe të opozitës. Dua të falënderoj në veçanti përkrahësit e LDK-së për mbështetjen e madhe e që na dhanë mundësinë që për vetëm një muaj ta ngrisim partinë tonë e ta rikthejmë fuqishëm. Për sonte pajtohemi që s’mund të shpallet fituesi meqenëse do të presim deri në numërimin e votës së fundit. Rezultati do të përcaktohet nga mërgata dhe votat me kusht siç duket”, ka deklaruar ajo. “Natyrisht që do të presim rezultatin final, sepse siç e keni parë dallimi ishte herë te ne herë te na. Dallimi tani është 0.7 për qind dhe është i domosdoshëm numërimi i votave me kusht dhe mërgatës që mund ta bëjnë dallimin. Në fund do të respektojmë në tërësi vullnetin e sovranit”, ka thënë ajo.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokracia në Veprim ka thënë se pas numërimit të 95…