Osmani sot në Bruksel përfaqëson Kosovën në Samitin e Liderëve
Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja Vjosa Osmani sot në Bruksel do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Osmani ka shkruar në platformën ‘X” se mesazhi i saj kryesor do të jetë Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe për t’iu afruar BE-së.
“Gjithashtu do t’i informoj kolegët liderë për zhvillimet e sigurisë pas aktit të agresionit të Serbisë”, tha ajo.
Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
Në kuadër të samitit, presidentja Osmani po ashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.